top of page

Keshilla per Mbrojtjen e Femijeve

“Sjelljet kriminale në adoleshencë”

 

Nga Jeta TOÇILA SHKURTI

 

Adoleshenti S. R. vrau kushëririn e tij 58 vjecar për 3 mijë euro, të tjerë adoleshentë kanë vrarë për një fjalë goje, për një vajzë, për një karrike lokali e për plot motive të tjera të dobëta. Vihet re se adoleshentët e sotëm po përfshihen gjithnjë e më shpesh në sjellje kriminale si vrasje, grabitje personi dhe makinash, vandalizma etj. Këto janë fenomene të njohura në vendet e zhvilluara, ku statistikat për krimet e  të rinjve flasin me shifra tepër të larta, por në vendin tonë krimet e adoleshentëve po lulëzojnë egër kohët e fundit.

Pse vret një adoleshent?

S. R vrau për para. Me paratë e përfituara  nga vrasja bleu një makinë. Nisur nga ky fakt krimi është bërë për shkak të nevojës së vrasësit për tu ndjerë i vlerësuar, i respektuar dhe i pranuar nga shoqëria në të cilën ai ka dëshiruar të  bëjë pjesë. Gjithashtu viktima duket se ka qënë shënjestër e 17 vjecarit prej disa kohësh. Ai i kishte dhënë para borxh Sokolit, i cili për të mos shlyer borxhin dhe për të përfituar më shumë para ka planifikuar vrasjen e kushëririt, të paraprirë nga torturat fizike. Këto veprime tregojnë se adoleshenti ka patur një xhelozi pathologjike ndaj kushëririt të tij dhe rezultati i pashmangshëm i kësaj ndjenje është fyerja e viktimës ose  vrasja. Shkaqe të tjera të mundshme mund të jenë stresi, depresioni, personaliteti antisocial, ku spikat agresiviteti dhe impulsiviteti ose crregullimet mendore.  Për rastin e S. R këto janë shpjegime të sipërfaqshme pasi edhe të dhënat që kam për këtë rast janë të kufizuara. Prandaj  le të shohim në përgjithësi se pse përfshihen adoleshentët në sjellje kriminale?

Prej varfërisë. Më lejoni të sjell në vëmëndjen tuaj adoleshentin e sotëm. Ai  jeton nën presionin e vazhdueshëm të shoqërisë në zhvillim. Shokët e tij dalin me të dashurat dhe natyrisht për tu dëfryer atyre u duhet të shkojnë në një bar, pub, kinema apo teatër e pwr këto duhen para. Për tu pranuar në shoqëri duhet të përshtatesh me normat e saj kështu që adoleshenti bën gjithcka për të qënë pjesë e shoqërisë që e rrethon. Nisur nga fakti se varfëria përjetohet më fuqishëm nga adoleshentët një pjesë e tyre priren të  jenë të dhunshëm dhe të bëjnë krime për të arritur pozicionin e dëshiruar në shoqëri. Disa fillojnë të vjedhin dhe grabisin. Në Tiranë po shpeshtohen rastet e grabitjeve të cantave të grave nga adoleshentë me motorr, gjithashtu edhe vjedhjet e makinave, celularëve etj. Nga shitja  e mallit të vjedhur të rinjtë sigurojnë për disa ditë para për ti shpenzuar më pas me shoqërinë, të dashurat apo edhe për blerjen e drogës.

 

I mituri Xh B së bashku me tre shokë, pasi kishin konsumuar alkool në një festë me shoqërinë dolën nëpër Tiranë, ku u takuan me dy djem të panjohur. Këtyre djemve, që ishin rreth një moshë, u kërkuan para dhe celularët që kishin me vete. Njëri nga viktimat pranoi të jepte telefonin të tipit I-phone, duke ia dorëzuar të pandehurit. Pasi morën telefonin katër djemtë shkuan në lagjen e tyre. Xh. kishte menduar ta mbante për vete telefonin, duke menduar se djali që ia dha nuk do kishte kryer kallëzim penal. Po atë ditë, brenda një ore policia arrestoi të miturin i cili e pranoi menjëherë akuzën. Në rastin e veprës në fjalë sipas rrethanave të treguara nga vetë i mituri duket se kemi të bëjmë me një rast të sjelljes impulsive, karakteristike e moshës së adoleshencës. Përmes aktit të vjedhjes, i mituri ka gjetur një mënyrë për të shprehur diçka, për tu dukur tip i fortë. Gjithashtu në moshën e të pandehurit është tipike prania e fabulës personale, dukuria sipas të cilës adoleshenti mendon se cfarëdo gjëje që mund të bëjë ai është i pakapshëm dhe i paprekshëm. Shumica e adoleshentëve, ndodh të vjedhin sepse nxitojnë të rriten. Dëshirojnë të kenë arritur me çdo kusht diku, por pa e ditur se ku, sidoqoftë tek “diçka më larg”. Janë të padurueshëm dhe hiqen si të rritur. (Dolto, F. Fjalë për adoleshentët)

 

Nga ana tjetër mundësia e adoleshentëve për të kryer krime rritet kur ata janë pjesëtar të një familjeje të shkatërruar, ku figura e babait ose mungon ose nuk është e pozicionuar aty ku duhet. Në shoqërinë njerëzore roli kryesor i babait është sigurimi i stabilitetit ekonomik në familje ose sic e themi ne shqiptarët burri është shtylla e shtëpisë. Por në një familje ku burri mungon barra i bie gruas, e cila e vetme e ka të vështirë  të mbajë edhe shtëpinë edhe fëmijët. Dikur ajo do të humbë kontrollin e njërit prej tyre dhe rëndom ndodh të neglizhohen fëmijët. Në këto kushte adoleshentët bëhen zot të vetes pa qënë gati për të menaxhuar veten e tyre, duke rënë shpejt pre e personave të përfshirë në rrjete kriminale. Adoleshentët të rritur pa praninë e figurës atërore manipulohen lehtë dhe shpesh shfrytëzohen në zbatimin e një plani kriminal si përshembull shpërndarja e drogës, grabitjet e deri edhe vrasjett, pasi për organizatorët e krimit mosha e tyre është element favorizues kur bëhët fjalë për gjykim nga drejtësia.

Trashëgimnia luan një rol të rëndësishëm në psikologjinë e një individi, por një pjesë e mirë e  sjelljeve njerëzore janë sjellje të mësuara. Cdokush ka një potencial agresiviteti por se si clirohet ky agresivitet mësohet duke parë të tjerët. Këta të tjerë mund të shihen cdo ditë në lajme, filma e programe të tjera televizive ku dhuna shfaqet në forma të ndryshme të saj, ndonjëherë edhe e glorifikuar, pasi njerëzit  e dhunshëm janë heronjtë e filmit. Fakt është që televizori po bëhet në shumë familje një baby sitter, si dhe burimi i vetëm i të mësuarit të normave dhe vlerave morale. Për mendimin tim  ky është një problem serioz në edukimin e të rinjve pasi të parit e televizorit rrallë monitorohet nga prindërit. Adoleshentët shohin pa kufi filma ku pjesën më të madhe të minutazhit e zë  dhuna, seksi dhe droga. Ajo që për mua është më e rrezikshmmja është se midis adoleshentëve të sotëm dhuna, seksi dhe droga  po promovohen si vlera. Nëse në grupin e adoleshentëve ka nga ata që nuk janë dakort me këtë moral të ri ata  përjashtohen nga shoqëria dhe etiketohen si “rob koti” apo “katunar”. Të udhëhequr nga morali mediatik, pasi morali shoqëror shqiptar është në krizë, ndodh që një ditë të rinjtë të veprojnë si heroi i filmit duke rrahur, përdhunuar, vjedhur e vrarë. Kur ndodh gjëma thirren në tryeza të rrumbullakta specialistë të fushës për të sensibilizuar familjen, shkollën e shoqërinë,  duke përfunduar më pas në drekën e rastit. 

bottom of page